BerNino
12.28.2010
Sllavko Pregl: Gjenitë pa brekë
“Zotërinj,” tha Zhani, “kam kënaqësinë që të ju shoh sërish. Pra, vera kaloi. Mirëserdhët në përqafimin tim.” Zhani me prindërit dhe me dy vëllezërit më të rinj banonte në një shtëpi të vogël në periferi. Pasi që nëna dhe baba i duronin gjithnjë e më vështirë shprehitë e tija jetësore, ndërsa vëllezërit, siç e shpjegonte profesionalisht, “e pengonin në zhvillimin e tij të pandalshëm e të gjithanshëm”, ekonomia e hirtë e kushërinjve të afërm dhe të largët ia mundësoi rregullimin e një dhome të vogël, por vetëm të Zhanit, në mansardë. Tani përgatitej ta përfundonte vitin e fundit të shkollës së mesme ekonomike.
Në atë dhomë ku çonin shkallët ashtu që as banorët e kateve të poshtme nuk e kishin të qartë, ndodhnin shumë gjëra. Atë moment, duke hyrë nëpër derë nën kulmin e ulët e ulën kokën pakëz:
- Gjeniu, kandidati për maturant në shkollën elektroteknike.
- Poeti, shoku i tij i shkollës dhe vërtetë poet, që e njihte në mënyrë të shkëlqyeshme fazën e vargëzimit, ku poezitë e tij nuk i kuptonte askush më dhe sigurisht se kishte ardhur koha, që populli t’ia vendos përmendoren, si dhe
- Pipi me riprovimet e dhëna me sukses këto ditë, për vitin e tretë të gjeodezisë, që refuzonte me gërdi shprehitë borgjeze të miqve, por besonte se njëherë do ta kuptojnë thelbin e botës.
Në këtë parahistori të dhënë, fatet e tyre u takuan më së pari në shkallët e Qendrës shkollore, e pastaj u shoqëruan mjaft edhe në lokacionet tjera.
“Vetëm përpara,” ftoi Zhani. “E, Bobi nuk do të vijë?”
“Po çfarë Bobi!” kundërshtoi Gjeniu.”Pak përpara ma dërgoi e-mailin se do të dilte me Bibën.”
“Kjo femër do të jetë varreza e tyre, u them unë,” murmuriti Zhani dhe i shpërndau kolltukët rreth tryezës ovale. “Po ku e gjeti atë?”
“Hajde, hajde,” kundërshtoi poeti. “Ku e gjeti, ku e gjeti? Ndoshta e ka gjetur ajo atë. Në fakt, edhe nuk janë çift aq i keq.”
“Me atë femër nuk është diç në rregull,” shpjegoi Pipi. “Bobit i është ngjitur, pasi që Bobi është bandilli kryesor. Ishte redaktor i fletushkës shkollore, ndërsa gjatë verës punoi në polici. Gjyshet do të thoshin: një parti e shkëlqyeshme. Dhe unë do të thosha se Biba e ka hundën për parti të shkëlqyeshme.”
“Ua!” klithi Gjeniu. “E kur të hyj unë në sistemin kompjuterik të Bankës Botërore dhe prej atje t’ia lëshoj vetes nga çdo transaksion mbetjen prej pesë decimalesh e tutje në llogarinë time, ajo do të më gjuhet mua? A po mendon kështu?”
“Po,” tha Pipi, “pikërisht këtë po e them.”
“Ua!” sërish klithi Gjeniu dhe syzet e kërcyen mbi hundë. “Por, kjo nuk është e keqe, kjo nuk është aspak e keqe.”
Djemtë u shpërndanë në karrige përreth tryezës dhe me to gërvishtën dyshemenë. Dërrasat rënkuan dhe u gërvishtën në mënyrë solide.
“Ngadalë,” tha Zhani. “Nuk do të dëshiroja që dikush të vijë prej poshtë duke bërtitur se nuk kanë qetësi nën ullinj.”
“Pst!” pëshpëriti poeti. “Pst.”
“Mirëpo, nëse kthehemi mbrapa,” filloi sërish Pipi, “nuk do ta kesh njësoj, nëse një gosë e tillë të ngjitet vetëm nëse mendon se je numri një dhe për këtë dëshiron të jetë pranë teje.”
“Nëse e mendoj mirë,” qeshi Gjeniu “mua nuk më pengon nëse dëshiron të jenë pranë meje ato prapanica. Pranoni se nuk janë të dobëta. Por, as përndryshe nuk është e dobët.”
“Budalla!” klithi Pipi. “Botën duhet ta rivendosim. Epo, se nuk e ke njësoj se në ç’ndëmjetkëmbëshe do ta derdhësh farën tënde.”
“Ojej,” psherëtiu poeti, “ nëse rastësisht keni harruar, jemi mbledhur këtu që fill pas pushimeve ta luajmë një poker, siç duhet. E kuptoj se juve u shpërthejnë hormonet prej syve, por na leni tani të qetë.
“E vërtetë,” tha Zhani dhe i qiti letrat në tryezë. E hapi sirtarin e poshtëm të ormanit dhe e nxjerri nga ai një shishe uiski.
“Ndoshta secili nga ju do ta pinte nga një gllënjkë që të përqendrohemi dhe të qetësohemi. Ky uiski është lartë nga veriu, nga Suedia.”
Heshti. Iu desh që t’i lejë kohës kohë dhe që djemtë ta kuptojnë shprehjen – prej një suedezeje.
Pipi u dridh menjëherë dhe e pyeti drejtpërdrejt: “e, vërtetë, si janë suedezet?”
Zhani e ndryshoi fytyrën e vet të shkollarit të shkollës së mesme në atë të një njohësi vërtetë të thellë. E ngushtoi pak shikimin. U mbështet mbrapa. Hundën dhe gojën i zgjati pak, nëpër birat e ngushtuara të hundës mori frymë në zë, i ktheu të dy duart në bërryla dhe me gishta e formësoi një rreth. “Suedezet, zotërinj, janë diçka e posaçme. Kur ecën suedezja nëpër rrugë, çdo grimcë e trupit të saj lëviz për vete. Kjo është simfoni e lëvizjes që të përfshin, e njëkohësisht është vështirë të kuptohet. E, kur të shikon, sytë e saj, hmm...” heshti. E pastaj si një magji e shuar kërciti me shuplakë në gjunjë dhe tha: “Ah, djema, ju as që dini çka është jeta. Vetëm edhe këtë dua t’ua them: deti, vera e gjatë e ngrohtë, çdo javë një autobus i ri përplot me suedeze dhe unë që i udhëheq. Çka u sillet suedezeve nëpër kokë kur vinë më në fund në jugun e ngrohtë?”
Zhani as nuk mundi që t’i shikojë ashtu përgjumur të gjithë sytë, kur e ndërpreu ashpër Gjeniu me klithje: “një mi e një dalmatin!” Të gjithë qeshen dhe Pipi i mori letrat dhe tha:
“Mjaft më me seksin. Paratë në diell. Hyrja është pesë euro. A jemi a nuk jemi pokerxhinj?!”
“Vetëm se,” u paraqit Poeti.
“Nuk ka, vetëm se!” e ndërpreu Gjeniu. “Qiti paratë. Do të luajmë.”
“Mirë, mirë, mirë,” u kundërshtua me nerva Poeti. “Vetëm më tregoni edhe një herë që ta shënoj, a është më i madh trisi apo kenti i vogël?”
Zhani e nxjerri pa fjalë nga sirtari i dytë një copë letër dhe lapsin.
“Shkruaj!” tha. “një çift, dy çifte, tris ...”
Poeti i shënoi me kujdes të gjitha figurat deri te flesh rojali, e pastaj letrën e palosi dhe e futi në xhepin e këmishës.
“Kush ndan?” pyeti Zhani.
“Ai që pyet!” njëzëri ia kthyen si në këngë Gjeniu, Poeti dhe Pipi. “Rendi është rënd,” pohoi Zhani dhe i mori letrat. Luajtën një kohë deri sa celulari i Zhanit filloi të dridhet. Zhani shtirej sikur të mos ekzistonte. Telefoni i qetësua pas një kohe. Kur ndau Pipi telefoni i Zhanit filloi të dalë mendsh përsëri. Zhani e shikoi qetë Pipin nën gishtërinj.
“Po, mund të paraqitesh,” tha Poeti. “Përndryshe, kjo gjë do të dridhet deri nesër në mëngjes. E mua po më pengon.”
“Kur luaj, atëherë luaj!” tha Zhani dhe e shtyri telefonin kah Poeti. “Ti shiko se kush po e prish qetësinë tënde të brendshme.”
Poeti e hapi kapakun.
”Obobo,” tha. “Bobi thërret.”
Zhani e mori dhe klithi menjëherë:
“Tungjatjeta, tipi! A po të dhemb koka, apo je duke e kositur barin tek gjyshja?”
Në dëgjuese u dëgjua një shushurimë dhe Zhani e kyçi altoparlantin.
“Nuk të dëgjova,” tha. “Përsërite.”
“Jam duke kositur barin tek gjyshja,” u dëgjua zëri i Bobit. “Si e di ti këtë?”
“Një zë i brendshëm më pëshpëriti, ti e kupton, apo jo? Më thuaj, tipi cilët janë urdhrat?”
“Nesër do të takoheshim gjatë mësimit në sallën e leximit në shkollë. Para se t’i fitojnë ethet mund të tubohemi vetëm dhe të bisedojmë se si më tutje. Merrni me vete edhe ndonjë fëmijë,” foli Bobi.
“Çfarë fëmijësh?” pyeti Zhani, u mërrol dhe e kaloi telefonin prej veshëve para sysh për të par se e po sheh ashtu siç duhet.
“Çfarë fëmijësh?”
“Po, fëmijët, këta të vitit të parë, nëse njeh dikush dike. Përvoja duhet të përcillet në gjeneratë të re.”
“Aha, aha,” murmuroi Zhani. “Në rregull. Hojla, shef.” E pastaj u kthye bixhozçinjve. “Dëgjuat, zotërinj? Ejani dhe sillini edhe fëmijët tuaj me vete.”
Pipi i ndau letrat. Poeti i ngriti letrat e veta, i shikoi profesionalisht në shuplakën e vet, i vendosi në tryezë e pastaj e futi dorën në xhep dhe filloi t’i lexoi shënimet me zë të ulët. Zhani i hodhi i nervozuar letrat e veta. “Pa mua, heq dorë! Ky tipi e ka përsëri betonin!”
9.05.2010
Suzana Tratnik: Bota e tretë, Cankarjeva založba
Titulli i origjinalit: Tretji svet
(Fragment: fq. 56-61)
Përktheu: Nikollë Berishaj
...
Utsa kishte fluturuar prej New Yorkut në Gjenevë vetëm në ditën e hapjes së konferencës. Që disa vjet studionte në Amerikë dhe tani ishte e punësuar, megjithëse bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët amerikanë iu dukshin qesharakë, gjoja se gjithmonë ankojnë dhe kundërshtojnë për çdo gjë: “kjo nuk do të mund të bëhet.” Për këtë arsye, Utsa preferonte të bënte shaka, dhe vet ajo përsëriste: “Jetoj në New York, dhe kjo nuk do mund të bëhet!” Kur ma hapi derën e banesës së një mësueseje gjenevase, nëse vlerësojmë sipas pajisjeve të brendshme, të dashuruar në Japoninë, në të cilën jetonte si e ftuar gjatë mbajtjes së konferencës, mendova se mezi i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat. Të gjitha u shokuam, kur na tha se i kishte njëzetetetë vjet. Pastaj qeshi në mënyrë sfiduese dhe tha se njerëzit, që jetojnë në Azi, plaken disi ndryshe nga të bardhit. Yuki, gjithashtu iu bashkëngjit mendimit të saj, gjoja se ne të bardhave nuk na e tregojnë atë fshehtësi, e pastaj qeshen edhe të gjitha japonezet. Edhe Mengu nga Bangkoku, kuptohet, bënte pjesë në taborin aziatik, pasi që nuk i tregonte krejtësisht ato njëzetepesë vjetët e saj, ndonëse, sipas shpjegimit të saj, shkaku i dukjes rinore ishte seksi. Dhe pastaj, pas tryezës, pranë djathërave dhe verës u zhvillua një debat disaorësh dhe shkëmbimi i përvojave, që janë gjoja aq karakteristike për qarqet e reja shoqërore dhe të mbledhura shpejt, të lezbikeve. Kur, dhe me ke e kishin pasur herën e parë? Dashnoret e para për Mengun kishin qenë mikeshat e saj të rinisë, pasi që shoqëria tajlandeze është seksualisht e segreguar për rininë në rritje, kështu që përfitimi i përvojave seksuale brenda gjinisë së vet nuk është kurrfarë rariteti.
“Mendoj se herën e parë e bëra në plazh,” shtoi e menduar Mengu. “Kishim shkuar me një shoqe të notojmë në mbrëmje...”
Ndërkohë që mezi, krejtësisht e habitur, munda ta lidhja se sintagma angleze “e bëra në plazh” shkurt e shqip do të thoshte, se e kishte përjetuar atje orgazmën, Mengu vazhdonte të fliste për pubertetin e saj si lezbike. Mirëpo, kuptohet, gjërat ndërrojnë në pragun pjekurisë, kur mikeshat i gjejnë dashnorët dhe burrat, e kështu me radhë. Por, atëherë Mengu zbuloi një fushë të re të kërkimit të dashnoreve të përkohshme, por aspak më të nxehta, ndërmjet turisteve. Jessica nga Tel Avivi nuk e kishte fatin e tillë. Më se tridhjetë vjet kishte jetuar veç gjysmë e gjallë, siç i kujtohet sot asaj kohe mbrapa, pasi që askund nuk kishte hapësirë për të menduar për lezbizëm, as në shkollë, as në punë, as në mesin e miqve dhe të njohurve, e aq më pak në kuadër të religjionit, apo të ideologjisë shtetërore. Pubertetin e kishte kaluar me shpresë të çmendur, se hormonet e saj do të zhvillohen në kohën e pjekurisë në drejtim të objektit të duhur të dëshirimit, që do të duhej të ishte i gjinisë mashkullore.
“Kjo, disi, nuk ndodhi, por këmbëngula dhe u qiva me shumë meshkuj,” ishte kontributi i saj i këmbimit të përvojave mbi zbulimin e seksit të lezbikeve.
“ E pse qiheshe me meshkuj, kur nuk kishe nevojë?” pyeti e ngjyrosura Siri, që kishte ndenjur pranë meje. (E dija se Dorisi do të ndërrohej menjëherë me mua, sikur të ishte këtu. Mirëpo, ajo mërzitej tek filmat.)
“ Vërtetë, pse?” u kujtua të pyes Mengu.
“ Sigurisht për arsye se më duhej të bëja diçka! Kështu që pas seksit e ndjeja veten diqysh, e jo thjeshtë asqysh.”
Kuzhinën, ku rrinim dhe pinim birrë dhe verë, sërish e vërshoi të qeshurit tonë të shfrenuar.
“ Të është dashur të bësh diçka!”, qeshi Utsa. “Mua kjo nuk do të më kishte pasur sukses!”
“ E, mua mu desh ta bëja këtë,” tha Siri. “Isha e dhënë që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Asnjë zgjedhje nuk kisha. As që dija se ekziston diçka e tillë, siç është zgjedhja e mënyrës sate të jetës. Zgjedhja e sejtë do.”
“ Siri ka vërtetë një rrëfim tronditës dhe një periudhë të keqe pas vetes.” Shtoi Utsa dhe ia ledhatoi flokët e gjata të zeza në të kaltër, të thurura në bishtaleca.
“ Por, gëzohem që jam këtu. Që të njoftova ty dhe femrat tjera, që kanë kokën e vet,” vazhdoi Siri. Vet ishte e martuar si katërmbëdhjetëvjeçare, në fakt, babai ia kishte premtuar dhëndrit të ardhshëm shumë më herët, gjë që nuk ishte kurrgjë e jashtëzakonshme për familjen mesatare në Bangladesh. Problemet filluan, kur, posa i mbushi të katërmbëdhjetat, dhëndri vërtetë erdhi për të. Ishte i vjetër dhe shkurtabiq, e çoi te vetja, larg prej qytetit në një fshat të prapambetur. Fëmijëria dhe shkollimi morën fund, i duhej ta shërbejë burrin. Tregimi ishte tejet klasik; kurdo që përmendte se do të mund të bënte diç tjetër, apo nëse u kundërshtohej marrëdhënieve të imponuara seksuale, i bërtiste e pastaj gjithnjë e më shpesh edhe e rrihte, derisa të rrahurit iu bashkëngjit formave tjera të shërbimit të rregullt, pra pastrimit, zierjes, larjes dhe dhunimit. Në naivitetin e vet rinor Siri iku nga burri, eci me ditë të tëra dhe, në fund, kur arriti në shtëpi tregoi, se nuk mendon dhe as që mund ta durojë më statusin e vet të dhunshëm martesor, dhe se frikohet se burri do ta vrasë, pasi që e braktisi. Atë e rrahu edhe babai, e mbylli dhe i çoi fjalë burrit të saj. Atëbotë, fshehtas i ndihmuan nëna dhe vëllai, gjoja se ashtu e ashtu duhet të liroheshin prej saj, dhe se kjo do të jetë gjëja më e mirë për familjen. Para seç e takoi Utsën, që i propozoi arratisje në formë të studimit në Shtetet e Bashkuara, u fsheh në dhomën e vajzës së vjetër të axhës së vet. Kur i tregoi për atë, se ç’të zeza kishte kaluar si grua e martuar, kushërira vazhdimisht i thoshte: “ Unë do të dija të sillesha më mirë me ty.”
“Hmmm. E çka mendonte me këtë?”, e pyeti e nxehur Jessica.
“Shiko,”, tha Siri dhe u kthye kah unë. Iu afrua aq shumë fytyrës sime, sa që e ndjeva duhanin në frymën e saj.
“Oh, Zot, jo, Siri!” klithi Utsa dhe në atë situatë të sikletshme ia mbuloi gojën me dorë.
“Kështu më fliste,” vazhdoi Siri. “Se do të dinte të sillej mirë me mua. Kështu... më thoshte... dhe kështu...”
Siri iu afrua përsëri fytyrës sime, dhe me buzë të saja rrëshqiti krejt pranë buzëve, hundës, ballit tim, e pastaj përsëri deri te buzët, kur frymëmarrja e saj e shpejtuar filloi të më shqetësoi fuqishëm. Iu kujtova puthjes së pakontrolluar të Françoisit, që të çmendi plotësisht para dy ditësh në shitore, dhe hiç pa menduar ia futa Sirit gjuhën në gojë. Për disa sekonda të gjithë sytë u ngulitën në ne, dhe në atë ankth dhe nxehje e dita se do të duhet të ndalojmë. E preka ballin e saj dhe e largova ndjeshëm.
Utsa dhe Mengu kakariseshin mekokë në grusht, japonezet rrëmonin nëpër çantat e tyre, sikur papritmas u nevojitej medoemos diçka, ndërsa Jessica tha: ”Ja, ja, po e shoh se kushërira jote vërtetë dinte. Një e tillë do të më duhej para disa vjetësh edhe mua...”
Sidoqoftë, pas këtij rrëfimi të Sirit, një kohë nuk ndodhi asgjë shqetësuese, përpos humorit të vazhdueshëm në llogari të orgazmave, puthjeve dhe dashnoreve.
Pastaj Mengu filloi temën tjetër të amshueshme të lezbikeve mbi lezbiket butch dhe femme. Temë që për mua ishte njësoj gjahtare si gjoja qartësia joproblematike e dallimeve dhe nuancave raciale. Siç nuk më binte atëbotë ndërmend të përcaktohesha si e bardhë, gjithashtu nuk më dukej e kuptueshme të flas për faktin se a e përjetoj veten si buch, apo femme, pra, më mashkullore, a më femërore. Në të gjitha pyetjet për racën apo për rolet seksuale kisha vetëm një përgjigje, se jam shkurt - shqip lezbike.
“ Si, në gjuhën tuaj nuk keni shprehje për lezbiket maskuline dhe feminine?” më pyeti e çuditur Mengu, e cila një ditë pastaj në konferencë i prezantoi diapozitivët nga subkultura tajlandeze e lezbikeve, që, gati pa përjashtim ndahej në dy gjini (gjysma), përpos vet Mengut, që kënaqej gjithashtu me papërcaktueshmërinë gjinore.
“ Jo, ne e njohim vetëm shprehjen për lezbike,“ thash duke qeshur.
“ E, si e quani atëherë ju lezbiken butch, femrën më mashkullore?”
“ E quajmë mozhaça, por kjo është fjalë nënçmuese, unë këtë nuk do të dëshiroja ta dëgjoj,” u kundërshtova, sikur aty në mes të Gjenevës të më kuptonte dhe t’më shante dikush. “Mozhaça do të mund ta quajmë secilën femër, edhe atë heteroseksuale – veçanërisht nëse dëshirojmë ta nënçmojmë.”
“Mushaça, mushaça, “ përsëriti Mengu dhe qeshi. Pastaj e dëgjuam shprehjen buch edhe në shumë nuanca tjera gjuhësore, të cilat, kuptohet, nuk mund t’i mbanim mend. Për këtë arsye të gjithave u mbeti në veshë si më e tingëllueshmja “mushaça”.
“ Pra, ti je vetëm lezbike,” më tha Mengu. Pastaj tregoi kah çanta ime, që ishte e varur në mbështetësen e karriges, sikur kjo ishte çantë damash, edhe pse ishte mjaft e madhe për fletore dhe libra. That’s a ladies’ bag. Në fakt, veten nuk mund ta paramendoja si damë, apo si zonjushë, apo diç të ngjashme. I mbaja flokët e shkurtra, aq larmisht të ngjyrosura, sa që rusët këtë nuk do të mund ta duronin, e shpesh edhe irokezen artistike. Pantallonat e mija të vetme të mira ishin ato të zeza, të ngjashme me pantallona të kalërimit. Padyshim një frymë e të ashtuquajturës, veshje sportive. Dhe pak darkerike. Pasi që, në fund të fundit isha e viteve të tetëdhjeta të Lublanës.
“Po bëj shaka, “ më tha në fund Mengu. “Në të vërtetë je më shumë butch, gjegjësisht vetëm lezbike, siç i thua ti kësaj. Por je duke harruar diçka.”
Gjatë kësaj, papritmas ma futi dorën nën kanatiere, me gishta të vegjël të saj ma preku parzmoren dhe e tërhoqi, kështu që llastiku më kërciti mbi shpinë.
“Lezbiket as këtë nuk e veshim!”, qeshi sërish. Atëbotë, padyshim se shumica e atyre përreth tryezës qeshën në llogarinë time, përpos Yukit, që kishte shkuar kaherë të flejë (në mos gaboj, që nga demonstrimi i puthjeve të mia me Sirin). Mirëpo, shumë shpejt, të thuash që ditën tjetër, u binda se Mengu kishte baza të mira të njohurisë së subkulturës së lezbikeve.
...
përktheu Nikollë Berishaj
...