9.05.2010

Suzana Tratnik: Bota e tretë, Cankarjeva založba

Titulli i origjinalit: Tretji svet

(Fragment: fq. 56-61)


Përktheu: Nikollë Berishaj

...

Utsa kishte fluturuar prej New Yorkut Gjenevë vetëm në ditën e hapjes së konferencës. Që disa vjet studionte në Amerikë dhe tani ishte e punësuar, megjithëse bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët amerikanë iu dukshin qesharakë, gjoja se gjithmonë ankojnë dhe kundërshtojnë për çdo gjë: “kjo nuk do të mund të bëhet.” Për këtë arsye, Utsa preferonte të bënte shaka, dhe vet ajo përsëriste: “Jetoj në New York, dhe kjo nuk do mund të bëhet!” Kur ma hapi derën e banesës së një mësueseje gjenevase, nëse vlerësojmë sipas pajisjeve të brendshme, të dashuruar në Japoninë, në të cilën jetonte si e ftuar gjatë mbajtjes së konferencës, mendova se mezi i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat. Të gjitha u shokuam, kur na tha se i kishte njëzetetetë vjet. Pastaj qeshi në mënyrë sfiduese dhe tha se njerëzit, që jetojnë në Azi, plaken disi ndryshe nga të bardhit. Yuki, gjithashtu iu bashkëngjit mendimit të saj, gjoja se ne të bardhave nuk na e tregojnë atë fshehtësi, e pastaj qeshen edhe të gjitha japonezet. Edhe Mengu nga Bangkoku, kuptohet, bënte pjesë në taborin aziatik, pasi që nuk i tregonte krejtësisht ato njëzetepesë vjetët e saj, ndonëse, sipas shpjegimit të saj, shkaku i dukjes rinore ishte seksi. Dhe pastaj, pas tryezës, pranë djathërave dhe verës u zhvillua një debat disaorësh dhe shkëmbimi i përvojave, që janë gjoja aq karakteristike për qarqet e reja shoqërore dhe të mbledhura shpejt, të lezbikeve. Kur, dhe me ke e kishin pasur herën e parë? Dashnoret e para për Mengun kishin qenë mikeshat e saj të rinisë, pasi që shoqëria tajlandeze është seksualisht e segreguar për rininë në rritje, kështu që përfitimi i përvojave seksuale brenda gjinisë së vet nuk është kurrfarë rariteti.

“Mendoj se herën e parë e bëra në plazh,” shtoi e menduar Mengu. “Kishim shkuar me një shoqe të notojmë në mbrëmje...”

Ndërkohë që mezi, krejtësisht e habitur, munda ta lidhja se sintagma angleze “e bëra në plazh” shkurt e shqip do të thoshte, se e kishte përjetuar atje orgazmën, Mengu vazhdonte të fliste për pubertetin e saj si lezbike. Mirëpo, kuptohet, gjërat ndërrojnë në pragun pjekurisë, kur mikeshat i gjejnë dashnorët dhe burrat, e kështu me radhë. Por, atëherë Mengu zbuloi një fushë të re të kërkimit të dashnoreve të përkohshme, por aspak më të nxehta, ndërmjet turisteve. Jessica nga Tel Avivi nuk e kishte fatin e tillë. Më se tridhjetë vjet kishte jetuar veç gjysmë e gjallë, siç i kujtohet sot asaj kohe mbrapa, pasi që askund nuk kishte hapësirë për të menduar për lezbizëm, as në shkollë, as në punë, as në mesin e miqve dhe të njohurve, e aq më pak në kuadër të religjionit, apo të ideologjisë shtetërore. Pubertetin e kishte kaluar me shpresë të çmendur, se hormonet e saj do të zhvillohen në kohën e pjekurisë në drejtim të objektit të duhur të dëshirimit, që do të duhej të ishte i gjinisë mashkullore.

“Kjo, disi, nuk ndodhi, por këmbëngula dhe u qiva me shumë meshkuj,” ishte kontributi i saj i këmbimit të përvojave mbi zbulimin e seksit të lezbikeve.

“ E pse qiheshe me meshkuj, kur nuk kishe nevojë?” pyeti e ngjyrosura Siri, që kishte ndenjur pranë meje. (E dija se Dorisi do të ndërrohej menjëherë me mua, sikur të ishte këtu. Mirëpo, ajo mërzitej tek filmat.)

“ Vërtetë, pse?” u kujtua të pyes Mengu.

“ Sigurisht për arsye se më duhej të bëja diçka! Kështu që pas seksit e ndjeja veten diqysh, e jo thjeshtë asqysh.”

Kuzhinën, ku rrinim dhe pinim birrë dhe verë, sërish e vërshoi të qeshurit tonë të shfrenuar.

“ Të është dashur të bësh diçka!”, qeshi Utsa. “Mua kjo nuk do të më kishte pasur sukses!”

“ E, mua mu desh ta bëja këtë,” tha Siri. “Isha e dhënë që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Asnjë zgjedhje nuk kisha. As që dija se ekziston diçka e tillë, siç është zgjedhja e mënyrës sate të jetës. Zgjedhja e sejtë do.”

“ Siri ka vërtetë një rrëfim tronditës dhe një periudhë të keqe pas vetes.” Shtoi Utsa dhe ia ledhatoi flokët e gjata të zeza në të kaltër, të thurura në bishtaleca.

“ Por, gëzohem që jam këtu. Që të njoftova ty dhe femrat tjera, që kanë kokën e vet,” vazhdoi Siri. Vet ishte e martuar si katërmbëdhjetëvjeçare, në fakt, babai ia kishte premtuar dhëndrit të ardhshëm shumë më herët, gjë që nuk ishte kurrgjë e jashtëzakonshme për familjen mesatare në Bangladesh. Problemet filluan, kur, posa i mbushi të katërmbëdhjetat, dhëndri vërtetë erdhi për të. Ishte i vjetër dhe shkurtabiq, e çoi te vetja, larg prej qytetit në një fshat të prapambetur. Fëmijëria dhe shkollimi morën fund, i duhej ta shërbejë burrin. Tregimi ishte tejet klasik; kurdo që përmendte se do të mund të bënte diç tjetër, apo nëse u kundërshtohej marrëdhënieve të imponuara seksuale, i bërtiste e pastaj gjithnjë e më shpesh edhe e rrihte, derisa të rrahurit iu bashkëngjit formave tjera të shërbimit të rregullt, pra pastrimit, zierjes, larjes dhe dhunimit. Në naivitetin e vet rinor Siri iku nga burri, eci me ditë të tëra dhe, në fund, kur arriti në shtëpi tregoi, se nuk mendon dhe as që mund ta durojë më statusin e vet të dhunshëm martesor, dhe se frikohet se burri do ta vrasë, pasi që e braktisi. Atë e rrahu edhe babai, e mbylli dhe i çoi fjalë burrit të saj. Atëbotë, fshehtas i ndihmuan nëna dhe vëllai, gjoja se ashtu e ashtu duhet të liroheshin prej saj, dhe se kjo do të jetë gjëja më e mirë për familjen. Para seç e takoi Utsën, që i propozoi arratisje në formë të studimit në Shtetet e Bashkuara, u fsheh në dhomën e vajzës së vjetër të axhës së vet. Kur i tregoi për atë, se ç’të zeza kishte kaluar si grua e martuar, kushërira vazhdimisht i thoshte: “ Unë do të dija të sillesha më mirë me ty.”

“Hmmm. E çka mendonte me këtë?”, e pyeti e nxehur Jessica.

“Shiko,”, tha Siri dhe u kthye kah unë. Iu afrua aq shumë fytyrës sime, sa që e ndjeva duhanin në frymën e saj.

“Oh, Zot, jo, Siri!” klithi Utsa dhe në atë situatë të sikletshme ia mbuloi gojën me dorë.

“Kështu më fliste,” vazhdoi Siri. “Se do të dinte të sillej mirë me mua. Kështu... më thoshte... dhe kështu...”

Siri iu afrua përsëri fytyrës sime, dhe me buzë të saja rrëshqiti krejt pranë buzëve, hundës, ballit tim, e pastaj përsëri deri te buzët, kur frymëmarrja e saj e shpejtuar filloi të më shqetësoi fuqishëm. Iu kujtova puthjes së pakontrolluar të Françoisit, që të çmendi plotësisht para dy ditësh në shitore, dhe hiç pa menduar ia futa Sirit gjuhën në gojë. Për disa sekonda të gjithë sytë u ngulitën në ne, dhe në atë ankth dhe nxehje e dita se do të duhet të ndalojmë. E preka ballin e saj dhe e largova ndjeshëm.

Utsa dhe Mengu kakariseshin mekokë në grusht, japonezet rrëmonin nëpër çantat e tyre, sikur papritmas u nevojitej medoemos diçka, ndërsa Jessica tha: ”Ja, ja, po e shoh se kushërira jote vërtetë dinte. Një e tillë do të më duhej para disa vjetësh edhe mua...”

Sidoqoftë, pas këtij rrëfimi të Sirit, një kohë nuk ndodhi asgjë shqetësuese, përpos humorit të vazhdueshëm në llogari të orgazmave, puthjeve dhe dashnoreve.

Pastaj Mengu filloi temën tjetër të amshueshme të lezbikeve mbi lezbiket butch dhe femme. Temë që për mua ishte njësoj gjahtare si gjoja qartësia joproblematike e dallimeve dhe nuancave raciale. Siç nuk më binte atëbotë ndërmend të përcaktohesha si e bardhë, gjithashtu nuk më dukej e kuptueshme të flas për faktin se a e përjetoj veten si buch, apo femme, pra, më mashkullore, a më femërore. Në të gjitha pyetjet për racën apo për rolet seksuale kisha vetëm një përgjigje, se jam shkurt - shqip lezbike.

“ Si, në gjuhën tuaj nuk keni shprehje për lezbiket maskuline dhe feminine?” më pyeti e çuditur Mengu, e cila një ditë pastaj në konferencë i prezantoi diapozitivët nga subkultura tajlandeze e lezbikeve, që, gati pa përjashtim ndahej në dy gjini (gjysma), përpos vet Mengut, që kënaqej gjithashtu me papërcaktueshmërinë gjinore.

“ Jo, ne e njohim vetëm shprehjen për lezbike,“ thash duke qeshur.

“ E, si e quani atëherë ju lezbiken butch, femrën më mashkullore?”

“ E quajmë mozhaça, por kjo është fjalë nënçmuese, unë këtë nuk do të dëshiroja ta dëgjoj,” u kundërshtova, sikur aty në mes të Gjenevës të më kuptonte dhe t’më shante dikush. “Mozhaça do të mund ta quajmë secilën femër, edhe atë heteroseksuale – veçanërisht nëse dëshirojmë ta nënçmojmë.”

“Mushaça, mushaça, “ përsëriti Mengu dhe qeshi. Pastaj e dëgjuam shprehjen buch edhe në shumë nuanca tjera gjuhësore, të cilat, kuptohet, nuk mund t’i mbanim mend. Për këtë arsye të gjithave u mbeti në veshë si më e tingëllueshmja “mushaça”.

“ Pra, ti je vetëm lezbike,” më tha Mengu. Pastaj tregoi kah çanta ime, që ishte e varur në mbështetësen e karriges, sikur kjo ishte çantë damash, edhe pse ishte mjaft e madhe për fletore dhe libra. That’s a ladies’ bag. Në fakt, veten nuk mund ta paramendoja si damë, apo si zonjushë, apo diç të ngjashme. I mbaja flokët e shkurtra, aq larmisht të ngjyrosura, sa që rusët këtë nuk do të mund ta duronin, e shpesh edhe irokezen artistike. Pantallonat e mija të vetme të mira ishin ato të zeza, të ngjashme me pantallona të kalërimit. Padyshim një frymë e të ashtuquajturës, veshje sportive. Dhe pak darkerike. Pasi që, në fund të fundit isha e viteve të tetëdhjeta të Lublanës.

“Po bëj shaka, “ më tha në fund Mengu. “Në të vërtetë je më shumë butch, gjegjësisht vetëm lezbike, siç i thua ti kësaj. Por je duke harruar diçka.”

Gjatë kësaj, papritmas ma futi dorën nën kanatiere, me gishta të vegjël të saj ma preku parzmoren dhe e tërhoqi, kështu që llastiku më kërciti mbi shpinë.

“Lezbiket as këtë nuk e veshim!”, qeshi sërish. Atëbotë, padyshim se shumica e atyre përreth tryezës qeshën në llogarinë time, përpos Yukit, që kishte shkuar kaherë të flejë (në mos gaboj, që nga demonstrimi i puthjeve të mia me Sirin). Mirëpo, shumë shpejt, të thuash që ditën tjetër, u binda se Mengu kishte baza të mira të njohurisë së subkulturës së lezbikeve.

...

Нема коментара:

Постави коментар