12.28.2010

Sllavko Pregl: Gjenitë pa brekë

4.
“Zotërinj,” tha Zhani, “kam kënaqësinë që të ju shoh sërish. Pra, vera kaloi. Mirëserdhët në përqafimin tim.” Zhani me prindërit dhe me dy vëllezërit më të rinj banonte në një shtëpi të vogël në periferi. Pasi që nëna dhe baba i duronin gjithnjë e më vështirë shprehitë e tija jetësore, ndërsa vëllezërit, siç e shpjegonte profesionalisht, “e pengonin në zhvillimin e tij të pandalshëm e të gjithanshëm”, ekonomia e hirtë e kushërinjve të afërm dhe të largët ia mundësoi rregullimin e një dhome të vogël, por vetëm të Zhanit, në mansardë. Tani përgatitej ta përfundonte vitin e fundit të shkollës së mesme ekonomike.
Në atë dhomë ku çonin shkallët ashtu që as banorët e kateve të poshtme nuk e kishin të qartë, ndodhnin shumë gjëra. Atë moment, duke hyrë nëpër derë nën kulmin e ulët e ulën kokën pakëz:
- Gjeniu, kandidati për maturant në shkollën elektroteknike.
- Poeti, shoku i tij i shkollës dhe vërtetë poet, që e njihte në mënyrë të shkëlqyeshme fazën e vargëzimit, ku poezitë e tij nuk i kuptonte askush më dhe sigurisht se kishte ardhur koha, që populli t’ia vendos përmendoren, si dhe
- Pipi me riprovimet e dhëna me sukses këto ditë, për vitin e tretë të gjeodezisë, që refuzonte me gërdi shprehitë borgjeze të miqve, por besonte se njëherë do ta kuptojnë thelbin e botës.
Në këtë parahistori të dhënë, fatet e tyre u takuan më së pari në shkallët e Qendrës shkollore, e pastaj u shoqëruan mjaft edhe në lokacionet tjera.
“Vetëm përpara,” ftoi Zhani. “E, Bobi nuk do të vijë?”
“Po çfarë Bobi!” kundërshtoi Gjeniu.”Pak përpara ma dërgoi e-mailin se do të dilte me Bibën.”
“Kjo femër do të jetë varreza e tyre, u them unë,” murmuriti Zhani dhe i shpërndau kolltukët rreth tryezës ovale. “Po ku e gjeti atë?”
“Hajde, hajde,” kundërshtoi poeti. “Ku e gjeti, ku e gjeti? Ndoshta e ka gjetur ajo atë. Në fakt, edhe nuk janë çift aq i keq.”
“Me atë femër nuk është diç në rregull,” shpjegoi Pipi. “Bobit i është ngjitur, pasi që Bobi është bandilli kryesor. Ishte redaktor i fletushkës shkollore, ndërsa gjatë verës punoi në polici. Gjyshet do të thoshin: një parti e shkëlqyeshme. Dhe unë do të thosha se Biba e ka hundën për parti të shkëlqyeshme.”
“Ua!” klithi Gjeniu. “E kur të hyj unë në sistemin kompjuterik të Bankës Botërore dhe prej atje t’ia lëshoj vetes nga çdo transaksion mbetjen prej pesë decimalesh e tutje në llogarinë time, ajo do të më gjuhet mua? A po mendon kështu?”
“Po,” tha Pipi, “pikërisht këtë po e them.”
“Ua!” sërish klithi Gjeniu dhe syzet e kërcyen mbi hundë. “Por, kjo nuk është e keqe, kjo nuk është aspak e keqe.”
Djemtë u shpërndanë në karrige përreth tryezës dhe me to gërvishtën dyshemenë. Dërrasat rënkuan dhe u gërvishtën në mënyrë solide.
“Ngadalë,” tha Zhani. “Nuk do të dëshiroja që dikush të vijë prej poshtë duke bërtitur se nuk kanë qetësi nën ullinj.”
“Pst!” pëshpëriti poeti. “Pst.”
“Mirëpo, nëse kthehemi mbrapa,” filloi sërish Pipi, “nuk do ta kesh njësoj, nëse një gosë e tillë të ngjitet vetëm nëse mendon se je numri një dhe për këtë dëshiron të jetë pranë teje.”
“Nëse e mendoj mirë,” qeshi Gjeniu “mua nuk më pengon nëse dëshiron të jenë pranë meje ato prapanica. Pranoni se nuk janë të dobëta. Por, as përndryshe nuk është e dobët.”
“Budalla!” klithi Pipi. “Botën duhet ta rivendosim. Epo, se nuk e ke njësoj se në ç’ndëmjetkëmbëshe do ta derdhësh farën tënde.”
“Ojej,” psherëtiu poeti, “ nëse rastësisht keni harruar, jemi mbledhur këtu që fill pas pushimeve ta luajmë një poker, siç duhet. E kuptoj se juve u shpërthejnë hormonet prej syve, por na leni tani të qetë.
“E vërtetë,” tha Zhani dhe i qiti letrat në tryezë. E hapi sirtarin e poshtëm të ormanit dhe e nxjerri nga ai një shishe uiski.
“Ndoshta secili nga ju do ta pinte nga një gllënjkë që të përqendrohemi dhe të qetësohemi. Ky uiski është lartë nga veriu, nga Suedia.”
Heshti. Iu desh që t’i lejë kohës kohë dhe që djemtë ta kuptojnë shprehjen – prej një suedezeje.
Pipi u dridh menjëherë dhe e pyeti drejtpërdrejt: “e, vërtetë, si janë suedezet?”
Zhani e ndryshoi fytyrën e vet të shkollarit të shkollës së mesme në atë të një njohësi vërtetë të thellë. E ngushtoi pak shikimin. U mbështet mbrapa. Hundën dhe gojën i zgjati pak, nëpër birat e ngushtuara të hundës mori frymë në zë, i ktheu të dy duart në bërryla dhe me gishta e formësoi një rreth. “Suedezet, zotërinj, janë diçka e posaçme. Kur ecën suedezja nëpër rrugë, çdo grimcë e trupit të saj lëviz për vete. Kjo është simfoni e lëvizjes që të përfshin, e njëkohësisht është vështirë të kuptohet. E, kur të shikon, sytë e saj, hmm...” heshti. E pastaj si një magji e shuar kërciti me shuplakë në gjunjë dhe tha: “Ah, djema, ju as që dini çka është jeta. Vetëm edhe këtë dua t’ua them: deti, vera e gjatë e ngrohtë, çdo javë një autobus i ri përplot me suedeze dhe unë që i udhëheq. Çka u sillet suedezeve nëpër kokë kur vinë më në fund në jugun e ngrohtë?”
Zhani as nuk mundi që t’i shikojë ashtu përgjumur të gjithë sytë, kur e ndërpreu ashpër Gjeniu me klithje: “një mi e një dalmatin!” Të gjithë qeshen dhe Pipi i mori letrat dhe tha:
“Mjaft më me seksin. Paratë në diell. Hyrja është pesë euro. A jemi a nuk jemi pokerxhinj?!”
“Vetëm se,” u paraqit Poeti.
“Nuk ka, vetëm se!” e ndërpreu Gjeniu. “Qiti paratë. Do të luajmë.”
“Mirë, mirë, mirë,” u kundërshtua me nerva Poeti. “Vetëm më tregoni edhe një herë që ta shënoj, a është më i madh trisi apo kenti i vogël?”
Zhani e nxjerri pa fjalë nga sirtari i dytë një copë letër dhe lapsin.
“Shkruaj!” tha. “një çift, dy çifte, tris ...”
Poeti i shënoi me kujdes të gjitha figurat deri te flesh rojali, e pastaj letrën e palosi dhe e futi në xhepin e këmishës.
“Kush ndan?” pyeti Zhani.
“Ai që pyet!” njëzëri ia kthyen si në këngë Gjeniu, Poeti dhe Pipi. “Rendi është rënd,” pohoi Zhani dhe i mori letrat. Luajtën një kohë deri sa celulari i Zhanit filloi të dridhet. Zhani shtirej sikur të mos ekzistonte. Telefoni i qetësua pas një kohe. Kur ndau Pipi telefoni i Zhanit filloi të dalë mendsh përsëri. Zhani e shikoi qetë Pipin nën gishtërinj.
“Po, mund të paraqitesh,” tha Poeti. “Përndryshe, kjo gjë do të dridhet deri nesër në mëngjes. E mua po më pengon.”
“Kur luaj, atëherë luaj!” tha Zhani dhe e shtyri telefonin kah Poeti. “Ti shiko se kush po e prish qetësinë tënde të brendshme.”
Poeti e hapi kapakun.
”Obobo,” tha. “Bobi thërret.”
Zhani e mori dhe klithi menjëherë:
“Tungjatjeta, tipi! A po të dhemb koka, apo je duke e kositur barin tek gjyshja?”
Në dëgjuese u dëgjua një shushurimë dhe Zhani e kyçi altoparlantin.
“Nuk të dëgjova,” tha. “Përsërite.”
“Jam duke kositur barin tek gjyshja,” u dëgjua zëri i Bobit. “Si e di ti këtë?”
“Një zë i brendshëm më pëshpëriti, ti e kupton, apo jo? Më thuaj, tipi cilët janë urdhrat?”
“Nesër do të takoheshim gjatë mësimit në sallën e leximit në shkollë. Para se t’i fitojnë ethet mund të tubohemi vetëm dhe të bisedojmë se si më tutje. Merrni me vete edhe ndonjë fëmijë,” foli Bobi.
“Çfarë fëmijësh?” pyeti Zhani, u mërrol dhe e kaloi telefonin prej veshëve para sysh për të par se e po sheh ashtu siç duhet.
“Çfarë fëmijësh?”
“Po, fëmijët, këta të vitit të parë, nëse njeh dikush dike. Përvoja duhet të përcillet në gjeneratë të re.”
“Aha, aha,” murmuroi Zhani. “Në rregull. Hojla, shef.” E pastaj u kthye bixhozçinjve. “Dëgjuat, zotërinj? Ejani dhe sillini edhe fëmijët tuaj me vete.”
Pipi i ndau letrat. Poeti i ngriti letrat e veta, i shikoi profesionalisht në shuplakën e vet, i vendosi në tryezë e pastaj e futi dorën në xhep dhe filloi t’i lexoi shënimet me zë të ulët. Zhani i hodhi i nervozuar letrat e veta. “Pa mua, heq dorë! Ky tipi e ka përsëri betonin!”

9.05.2010

Suzana Tratnik: Bota e tretë, Cankarjeva založba

Titulli i origjinalit: Tretji svet

(Fragment: fq. 56-61)


Përktheu: Nikollë Berishaj

...

Utsa kishte fluturuar prej New Yorkut Gjenevë vetëm në ditën e hapjes së konferencës. Që disa vjet studionte në Amerikë dhe tani ishte e punësuar, megjithëse bashkëpunëtoret dhe bashkëpunëtorët amerikanë iu dukshin qesharakë, gjoja se gjithmonë ankojnë dhe kundërshtojnë për çdo gjë: “kjo nuk do të mund të bëhet.” Për këtë arsye, Utsa preferonte të bënte shaka, dhe vet ajo përsëriste: “Jetoj në New York, dhe kjo nuk do mund të bëhet!” Kur ma hapi derën e banesës së një mësueseje gjenevase, nëse vlerësojmë sipas pajisjeve të brendshme, të dashuruar në Japoninë, në të cilën jetonte si e ftuar gjatë mbajtjes së konferencës, mendova se mezi i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat. Të gjitha u shokuam, kur na tha se i kishte njëzetetetë vjet. Pastaj qeshi në mënyrë sfiduese dhe tha se njerëzit, që jetojnë në Azi, plaken disi ndryshe nga të bardhit. Yuki, gjithashtu iu bashkëngjit mendimit të saj, gjoja se ne të bardhave nuk na e tregojnë atë fshehtësi, e pastaj qeshen edhe të gjitha japonezet. Edhe Mengu nga Bangkoku, kuptohet, bënte pjesë në taborin aziatik, pasi që nuk i tregonte krejtësisht ato njëzetepesë vjetët e saj, ndonëse, sipas shpjegimit të saj, shkaku i dukjes rinore ishte seksi. Dhe pastaj, pas tryezës, pranë djathërave dhe verës u zhvillua një debat disaorësh dhe shkëmbimi i përvojave, që janë gjoja aq karakteristike për qarqet e reja shoqërore dhe të mbledhura shpejt, të lezbikeve. Kur, dhe me ke e kishin pasur herën e parë? Dashnoret e para për Mengun kishin qenë mikeshat e saj të rinisë, pasi që shoqëria tajlandeze është seksualisht e segreguar për rininë në rritje, kështu që përfitimi i përvojave seksuale brenda gjinisë së vet nuk është kurrfarë rariteti.

“Mendoj se herën e parë e bëra në plazh,” shtoi e menduar Mengu. “Kishim shkuar me një shoqe të notojmë në mbrëmje...”

Ndërkohë që mezi, krejtësisht e habitur, munda ta lidhja se sintagma angleze “e bëra në plazh” shkurt e shqip do të thoshte, se e kishte përjetuar atje orgazmën, Mengu vazhdonte të fliste për pubertetin e saj si lezbike. Mirëpo, kuptohet, gjërat ndërrojnë në pragun pjekurisë, kur mikeshat i gjejnë dashnorët dhe burrat, e kështu me radhë. Por, atëherë Mengu zbuloi një fushë të re të kërkimit të dashnoreve të përkohshme, por aspak më të nxehta, ndërmjet turisteve. Jessica nga Tel Avivi nuk e kishte fatin e tillë. Më se tridhjetë vjet kishte jetuar veç gjysmë e gjallë, siç i kujtohet sot asaj kohe mbrapa, pasi që askund nuk kishte hapësirë për të menduar për lezbizëm, as në shkollë, as në punë, as në mesin e miqve dhe të njohurve, e aq më pak në kuadër të religjionit, apo të ideologjisë shtetërore. Pubertetin e kishte kaluar me shpresë të çmendur, se hormonet e saj do të zhvillohen në kohën e pjekurisë në drejtim të objektit të duhur të dëshirimit, që do të duhej të ishte i gjinisë mashkullore.

“Kjo, disi, nuk ndodhi, por këmbëngula dhe u qiva me shumë meshkuj,” ishte kontributi i saj i këmbimit të përvojave mbi zbulimin e seksit të lezbikeve.

“ E pse qiheshe me meshkuj, kur nuk kishe nevojë?” pyeti e ngjyrosura Siri, që kishte ndenjur pranë meje. (E dija se Dorisi do të ndërrohej menjëherë me mua, sikur të ishte këtu. Mirëpo, ajo mërzitej tek filmat.)

“ Vërtetë, pse?” u kujtua të pyes Mengu.

“ Sigurisht për arsye se më duhej të bëja diçka! Kështu që pas seksit e ndjeja veten diqysh, e jo thjeshtë asqysh.”

Kuzhinën, ku rrinim dhe pinim birrë dhe verë, sërish e vërshoi të qeshurit tonë të shfrenuar.

“ Të është dashur të bësh diçka!”, qeshi Utsa. “Mua kjo nuk do të më kishte pasur sukses!”

“ E, mua mu desh ta bëja këtë,” tha Siri. “Isha e dhënë që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Asnjë zgjedhje nuk kisha. As që dija se ekziston diçka e tillë, siç është zgjedhja e mënyrës sate të jetës. Zgjedhja e sejtë do.”

“ Siri ka vërtetë një rrëfim tronditës dhe një periudhë të keqe pas vetes.” Shtoi Utsa dhe ia ledhatoi flokët e gjata të zeza në të kaltër, të thurura në bishtaleca.

“ Por, gëzohem që jam këtu. Që të njoftova ty dhe femrat tjera, që kanë kokën e vet,” vazhdoi Siri. Vet ishte e martuar si katërmbëdhjetëvjeçare, në fakt, babai ia kishte premtuar dhëndrit të ardhshëm shumë më herët, gjë që nuk ishte kurrgjë e jashtëzakonshme për familjen mesatare në Bangladesh. Problemet filluan, kur, posa i mbushi të katërmbëdhjetat, dhëndri vërtetë erdhi për të. Ishte i vjetër dhe shkurtabiq, e çoi te vetja, larg prej qytetit në një fshat të prapambetur. Fëmijëria dhe shkollimi morën fund, i duhej ta shërbejë burrin. Tregimi ishte tejet klasik; kurdo që përmendte se do të mund të bënte diç tjetër, apo nëse u kundërshtohej marrëdhënieve të imponuara seksuale, i bërtiste e pastaj gjithnjë e më shpesh edhe e rrihte, derisa të rrahurit iu bashkëngjit formave tjera të shërbimit të rregullt, pra pastrimit, zierjes, larjes dhe dhunimit. Në naivitetin e vet rinor Siri iku nga burri, eci me ditë të tëra dhe, në fund, kur arriti në shtëpi tregoi, se nuk mendon dhe as që mund ta durojë më statusin e vet të dhunshëm martesor, dhe se frikohet se burri do ta vrasë, pasi që e braktisi. Atë e rrahu edhe babai, e mbylli dhe i çoi fjalë burrit të saj. Atëbotë, fshehtas i ndihmuan nëna dhe vëllai, gjoja se ashtu e ashtu duhet të liroheshin prej saj, dhe se kjo do të jetë gjëja më e mirë për familjen. Para seç e takoi Utsën, që i propozoi arratisje në formë të studimit në Shtetet e Bashkuara, u fsheh në dhomën e vajzës së vjetër të axhës së vet. Kur i tregoi për atë, se ç’të zeza kishte kaluar si grua e martuar, kushërira vazhdimisht i thoshte: “ Unë do të dija të sillesha më mirë me ty.”

“Hmmm. E çka mendonte me këtë?”, e pyeti e nxehur Jessica.

“Shiko,”, tha Siri dhe u kthye kah unë. Iu afrua aq shumë fytyrës sime, sa që e ndjeva duhanin në frymën e saj.

“Oh, Zot, jo, Siri!” klithi Utsa dhe në atë situatë të sikletshme ia mbuloi gojën me dorë.

“Kështu më fliste,” vazhdoi Siri. “Se do të dinte të sillej mirë me mua. Kështu... më thoshte... dhe kështu...”

Siri iu afrua përsëri fytyrës sime, dhe me buzë të saja rrëshqiti krejt pranë buzëve, hundës, ballit tim, e pastaj përsëri deri te buzët, kur frymëmarrja e saj e shpejtuar filloi të më shqetësoi fuqishëm. Iu kujtova puthjes së pakontrolluar të Françoisit, që të çmendi plotësisht para dy ditësh në shitore, dhe hiç pa menduar ia futa Sirit gjuhën në gojë. Për disa sekonda të gjithë sytë u ngulitën në ne, dhe në atë ankth dhe nxehje e dita se do të duhet të ndalojmë. E preka ballin e saj dhe e largova ndjeshëm.

Utsa dhe Mengu kakariseshin mekokë në grusht, japonezet rrëmonin nëpër çantat e tyre, sikur papritmas u nevojitej medoemos diçka, ndërsa Jessica tha: ”Ja, ja, po e shoh se kushërira jote vërtetë dinte. Një e tillë do të më duhej para disa vjetësh edhe mua...”

Sidoqoftë, pas këtij rrëfimi të Sirit, një kohë nuk ndodhi asgjë shqetësuese, përpos humorit të vazhdueshëm në llogari të orgazmave, puthjeve dhe dashnoreve.

Pastaj Mengu filloi temën tjetër të amshueshme të lezbikeve mbi lezbiket butch dhe femme. Temë që për mua ishte njësoj gjahtare si gjoja qartësia joproblematike e dallimeve dhe nuancave raciale. Siç nuk më binte atëbotë ndërmend të përcaktohesha si e bardhë, gjithashtu nuk më dukej e kuptueshme të flas për faktin se a e përjetoj veten si buch, apo femme, pra, më mashkullore, a më femërore. Në të gjitha pyetjet për racën apo për rolet seksuale kisha vetëm një përgjigje, se jam shkurt - shqip lezbike.

“ Si, në gjuhën tuaj nuk keni shprehje për lezbiket maskuline dhe feminine?” më pyeti e çuditur Mengu, e cila një ditë pastaj në konferencë i prezantoi diapozitivët nga subkultura tajlandeze e lezbikeve, që, gati pa përjashtim ndahej në dy gjini (gjysma), përpos vet Mengut, që kënaqej gjithashtu me papërcaktueshmërinë gjinore.

“ Jo, ne e njohim vetëm shprehjen për lezbike,“ thash duke qeshur.

“ E, si e quani atëherë ju lezbiken butch, femrën më mashkullore?”

“ E quajmë mozhaça, por kjo është fjalë nënçmuese, unë këtë nuk do të dëshiroja ta dëgjoj,” u kundërshtova, sikur aty në mes të Gjenevës të më kuptonte dhe t’më shante dikush. “Mozhaça do të mund ta quajmë secilën femër, edhe atë heteroseksuale – veçanërisht nëse dëshirojmë ta nënçmojmë.”

“Mushaça, mushaça, “ përsëriti Mengu dhe qeshi. Pastaj e dëgjuam shprehjen buch edhe në shumë nuanca tjera gjuhësore, të cilat, kuptohet, nuk mund t’i mbanim mend. Për këtë arsye të gjithave u mbeti në veshë si më e tingëllueshmja “mushaça”.

“ Pra, ti je vetëm lezbike,” më tha Mengu. Pastaj tregoi kah çanta ime, që ishte e varur në mbështetësen e karriges, sikur kjo ishte çantë damash, edhe pse ishte mjaft e madhe për fletore dhe libra. That’s a ladies’ bag. Në fakt, veten nuk mund ta paramendoja si damë, apo si zonjushë, apo diç të ngjashme. I mbaja flokët e shkurtra, aq larmisht të ngjyrosura, sa që rusët këtë nuk do të mund ta duronin, e shpesh edhe irokezen artistike. Pantallonat e mija të vetme të mira ishin ato të zeza, të ngjashme me pantallona të kalërimit. Padyshim një frymë e të ashtuquajturës, veshje sportive. Dhe pak darkerike. Pasi që, në fund të fundit isha e viteve të tetëdhjeta të Lublanës.

“Po bëj shaka, “ më tha në fund Mengu. “Në të vërtetë je më shumë butch, gjegjësisht vetëm lezbike, siç i thua ti kësaj. Por je duke harruar diçka.”

Gjatë kësaj, papritmas ma futi dorën nën kanatiere, me gishta të vegjël të saj ma preku parzmoren dhe e tërhoqi, kështu që llastiku më kërciti mbi shpinë.

“Lezbiket as këtë nuk e veshim!”, qeshi sërish. Atëbotë, padyshim se shumica e atyre përreth tryezës qeshën në llogarinë time, përpos Yukit, që kishte shkuar kaherë të flejë (në mos gaboj, që nga demonstrimi i puthjeve të mia me Sirin). Mirëpo, shumë shpejt, të thuash që ditën tjetër, u binda se Mengu kishte baza të mira të njohurisë së subkulturës së lezbikeve.

...

Boris Pahor: Nekropoli, roman (fragment)
përktheu Nikollë Berishaj


...

Hapësira e bodrumit nën furrë, depoja, e pajisur me ashensorin e zi të hekurt rudimentar. Është ky morgu i Nazweilerit. Dhe, e shoh se si me Tolin e bartim Ivin në shkalc. I shoh shkopinjtë e zezë të hekurt dhe pëlhurën e trashë të hirtë të shkalcit. Ivin, pastaj e ngritëm dhe e vendosëm në grumbull. Atëherë mendova se darët e gjata do ta shtrëngojnë qafën e tij, në moment kur varrtari do ta tërheqë nga grumbulli. Ishte i shtrirë në mes të grumbullit të brinjëve të thatë, kërdhokullave të zbrazëta, mollëzave të mprehta dhe rrashtave në formë topi. Vetëm fytyra e tij ishte e rruar, pasi që diku e kisha vjedhur zhiletin dhe mezi ia kisha gërryer thellimet e fytyrës, në mënyrë që së paku me këtë ta lidhi me zakonet e popullit tonë. Ashtu qëndronte mbi grumbullin e eshtrave me lëkurë të kuqe dhe sikur më thërriste, që mos ta le të vetmuar në mesin e të huajve, pasi që ishim krejt kohën bashkë, që nga biruca e çimentos nën sheshin e Oberdankut. Dhe, më thërriste edhe më vonë, ndërsa e bartim me Tolin shkalcin e thatë nëpër shkallë; në mes të pëlhurës së trash ishte ende një njollë e ngjyrë kafeje, që, para kushedi sa muajsh e kishte lënë kushedi cili i ndjerë. E dëgjoja kritikën e tij me zë të ulët, se e kisha gënjyer, kur i kisha thënë se sëmundja nuk do ta marrë, kur ia kisha përsëritur që t’i dëbojë ato mendime. E shihja se si është papërmirësueshëm i ofenduar për faktin se isha gjithmonë i gëzuar kur iu afroja, kur rrija në shtrojën e tij dhe me të si me të sëmurin, që vetëm duhet të pushojë pas sëmundjes së gjatë. Heshtazi e kam përcjellë Tolin dhe e kam ngritur shkopin e shkalcit, pasi që isha më i shkurtër se ai dhe për këtë kisha kujdes që shkopi tjetër të mos i prekë gurët e shkallëve. Por, edhe sikur ta prekte, Toli atë ditë nuk do të nevrikosej, megjithatë nuk dëshiroja që shkopi të binte dhe të tingëllonte me atë tingullin metalik. Jo, Toli nuk do të ndalte dhe as që do t’ia shante të vdekurit nënën mbretëreshë, pasi e dinte se pikërisht isha ndarë me bashkëkombësin tim, e për të, si rus, bashkëkombësi ishte gjë e shenjtë. Mua më dukej sikur ta kisha varrosur babanë. E ndjeja pafuqinë e pamundësinë time dhe njëkohësisht isha i vetëdijshëm për lëndueshmërinë elementare, që e përjeton thellë njeriu gjatë shikimi të trupit të ftohur të atij, që ishte nismëtar i jetës së tij. Sikur ta kishte kafshuar urithi rrënjën, me të cilën këtu u lidha me prijat në breg mbi det; dhe isha shumë i prekur edhe për faktin se deri në momentin e fundit isha i bindur se Ivoja, edhe përkundër të gjithave, do të shpëtojë. I dëshirova që të shpëtojë; ia dëshirova këtë me gjithë zemër, sepse me buzëqeshjen e tij të qetë dhe me karakterin e tij e thuri rrjetin e dendur të lidhjeve ndërmjet nesh. Për shkak të figurës së tij njerëzore ia dëshirova, e naivisht besova se dëshira ime do të plotësohet edhe për arsye se e kishte përkujdesjen dhe simpatinë time. Dhe këtë dështim timin e njihte edhe Leifi, që më këshilloi si baba (gjë që ishte e pazakonshme), se Ivoja do të vdiste edhe në kushte normale të jetës. E, ndoshta është edhe e vërtetë, por Leif Poulsoni, shefi im, ishte, si gjithmonë, kur nuk bëhej fjalë për norvegjezët e tij, paksa krenar. Për këtë arsye, ndoshta edhe gabimisht, mendoja se Leifi do ta gjente diku sulfamidin, sikur të bëhej fjalë për ndonjë të sëmurë tjetër; jo tani, kur sëmundja kishte marrë hov, por në fillim, kur u sëmur Ivoja. E di shumë mirë se evbazini dhe prontosili, që e fituan mjekët u harxhuan për dy ditë; e sikur të donte Leifi do ta siguronte dozën e sulfamidit. Ishte dashur, që unë ta bindë atë, të angazhohem për Ivon. Por, atë kohë nuk mendoja në sulfamide, pasi që në fillim as vet Leifi, më duket, nuk dinte se çka kishte Ivoja; e kur Leifi i përmendi veshkat, procesi i sëmundjes kishte shkuar aq larg, që Ivoja kishte filluar të dobësohej shumë. Nuk e di, ndoshta as sulfamidi nuk do të ndihmonte gjë. Ndoshta ishte infektim tuberkular, Leifi nuk fliste për këtë me mua, isha tepër i parëndësishëm në politikën e brendshme të kampit. E tani kur i di të gjitha, Ivoja nuk më paraqitet, nuk më paraqitet fytyra e tij, depoja dhe darët janë aty, sikur të mos kishin kurrfarë lidhjeje as me mua, as me Ivon. Vetëm jam. Në hije të ngrohtë, pasi që në anën e barakës dhe qoshen e saj të djathtë bien rrezet e korrikut. Dhe vetëm kur kthehem, e shoh se ndërmjet Ivos dhe meje qëndrojnë sandallat mija të lehta, pantallonat e verës, lapsi kimik, me të cilin e shënoj shpejt e shpejt emrin e objektit që po e shikoja, Fiati 600, që më pret në dalje dhe me të cilin vozitem shpeshherë nëpër Rojan, pranë depos, në të cilin shiste dikur qymyr Ivoja. Dhe kështu e zbuloj se do të duhej të lirohem prej të gjitha gjërave të përbotshme, ti mbathë nallanet e drunjta të mjerimit tonë që të bëhem i denjë për shoqërinë me te. Në atë rast Ivoja nuk do të ishte i padukshëm dhe nuk do të ma merrte për të keq se po kthehem në bregdetin e Triestes; ndoshta as që do të kërkonte nga besnikëria ime, që të mos i gëzohem rrahjes së ujit në bregun e Barkovlanit.
Atëherë shkoja ta vizitoj Tomazhin në bllokun tjetër. Në fakt, e kisha njoftuar një ditë prej ditësh kur e kërkoja Leifin për shkak të Ivos. Ishte verë e shkëlqyer, por nuk ishte për ne; ndonjëherë, posa shkoje shkallëve teposhtë, të ndalonte shikimi në fushën e largët, që, sikur tani rrezitej në theqafjen e thellë. Ngrohtësia valëviste përmbi botën e zënë të qetë larg nën ne dhe bebëzat tona e shikonin, si ta shikonin nëpër thjerrëzat e ujit të dylbive të kthyera mbrapsht. Ishim ngritur lart mbi vendbanimin e rritur, por në ne nuk lindte asnjë ndjenjë e njeriut, që nga mali kënaqet me pamjen e plotë të ultësirës. Nuk na kishin çuar lart, që të lidheshim edhe më fort me vendbanimet njerëzore, por që të shohim qartë, se sa e amshueshme është ndarja jonë prej tyre. Sidoqoftë, vetëm një shikim i shpejtë në verë, atje poshtë, ishte shërues, sepse në fund të ngushtimit zbardhej qoshja trekëndëshe e një ndërtese të ulët. Ishte pjesë e një vile të vetmuar, apo sanatoriumi të lëshuar, prej të cilit dikur, ashtu na dukej, i kishin vozitur të sëmurit, pa e humbur besimin e fundit në jetë duke i shikuar varrezat tona. Ishte ky objekt në mes të atmosferës së hapur, ishte si pjesa e prapme e anijes së bardhë, që ishte joreale në thellësinë ndërmjet maleve, që ishte njëkohësisht simbol i ikjes dhe udhëtimit. Dhe në një moment, shih çudi, atje në largësi, në pjesën e prapme të asaj anije ajrore paraqitet flamuri me kryqin e kuq në fushën e bardhë. Kjo nuk do të thoshte vetëm se në ndërtesë në mes të maleve gjenden njerëzit, por edhe se këta njerëz filluan papritmas të frikësohen. Ishte si një rreze drite, që vegon nëpër vetëdijen e trupit të alivanosur, por që është duke u zgjuar. U frikësohen aleatëve, që po i afrohen Belfortit. I frikësohen tufave të aeroplanëve aleatë. Dhe në brendësinë tonë u zgjua një puls, që i përngjante një vezullimi, dridhjes së peshkut në të thatë, para seç zgjatet në ngërç për të ardhur deri te skaji, pas të cilit është ujët shpëtues. Diku në thelbin e qenies sonë u nxit një bërthamë shprese, për të cilën ishim të vetëdijshëm, por për të cilën shumëkush nuk dëshironte të mendonte, që mos ta lëndonte me atë mendim shkatërrues. Sepse prijat në brinjët e malit ishin gjithmonë vreshta të njëjta të vdekjes, në të cilat vjelja vazhdonte pavarësisht nga stina e vitit. Bartësit kanë bartur gjithmonë prodhimet e vdekjes në prijën më të ulët, prej të cilës është ngritur, pastaj, një re e dobët, që është përhapur ngadalë mbi strehët e katranizuara të barakave. Natyrisht, vera ishte stinë e mëshirës, kështu që para bllokëve, në të cilët jetonin të paaftit për punë, trupat mund të pushonin në bankat e pakta, kështu që druri i ashtit duhet t’i rezistojë drurit të ulëses. Të tjerët shtriheshin në pluhur. Me siguri për shkak të numrit të pakët të bankave, por edhe për faktin se trupi shtrihej për shkak të lodhjes së madhe, pafuqisë së madhe. Kur njeriu e shtynë kokën, gjoksin, barkun dhe këmbët në dhe, i duket disi në amulli se po e zbutë për herë të fundit fortësinë e lëvozhgës së tokës dhe me këtë refleks të shtrëngimit, po e thith nga ajo pak lëng jetese; por fill pastaj lodhja e mundë dhe e ndjen se si po ia dorëzon dheut ato ndjeshmërinë e vet të fundit, të varfër. Por, janë edhe çaste tjera, kur mbi gjymtyrët e shtrira mbisundon aroma, që e sjell tymi. Në ato çaste, edhe përkundër dëshirës që të pushohet pafundësisht, kundërshton vetëdija. Në ato çaste me të gjithë fuqinë e mbetur tenton ta dëbosh qelbësirën nga dhjami i djegur, e mbyll gojën dhe e lëshon frymën nëpër vrima të hundës, në mënyrë që ta mundë ashtu renë vdekjeprurëse të gazit të helmuar. Por, nuk mund të shkundësh gjatë kokën, dhe as që të ndihmon kjo, nëse vdekjen e shfrynë me kujdes, kur menjëherë pastaj të duhet ta marrësh atë me frymë, ndonëse në intervale të shkurtra dhe të prera. Pra, është më së miri, që ta evitosh çdo mendim, e mushkëritë pastaj i përshtaten vetë gjatësisë të zgjatur valore të shkatërrimit. Sepse, edhe sikur, era e papritur ta tërheqë atë përtej maleve, kjo nuk do ta ndryshonte ritmin e vdekjes, por në eshtra, në rrashtë, në lukth edhe më shumë do të rritej zbrazëtira, që është e trullosur me aromën e rëndë dhe e përkundur në narkozën e mjegullt. Kjo është, në fakt, ajo ikje nëpër natë në mjegull, që me dy inicialet e mëdha të kuqe e kanë vizatuar në shpina dhe në mëngë të këmbëve të norvegjezëve, holandezëve dhe francezëve. N.N. Nacht und Nebel. Nata dhe Mjegulla. Vetëm nata nuk mjafton. Nëpër natën e dyfishtë duhet të vihet edhe deri te drita e diellit nëpër shkallët teposhtë në depon nëntokësore këtu nën furrë. Por, si blic në natë dhe në mjegull valëzoi flamuri në ultësirë. Për këtë arsye e kërkoja me aq shqetësim Leifin. E pash se nuk mund t’i ndihmojë gjë Ivos, pasi që filloi t’i përmend në kllapi vizionet e shqyera të Triestes në këtë botë aq të largët, sa që mu bënë largësia dhe afërsia njësoj abstrakte, e pikërisht për shkak të ndryshimeve që i paralajmëronte ky flamur, më dukej fundi i tij në këto momente pafundësisht i padrejtë dhe i pakuptueshëm. Kush e di se si, në këtë shqetësim që u fut në mua, mendoja, apo së paku shpresoja, se për shkak të lajmit të gëzuar dhe i inspiruar me të, Leifi do të gjente ndonjë shpëtim për Ivon, do t’ia japë ilaçin, të cilin e kishte mbajtur të fshehur deri më tani për raste të jashtëzakonshme, por që tani, në atmosferë të ndryshuar thjesht do ta përdorë. Ndërkohë, Leifi ishte sigurisht në bllokun e njëmbëdhjetë dhe norvegjezëve të vetë ua dorëzonte pëlhurën e bardhë në shtizë, të zbuluar në atë çast, atje në ultësirë; e gjatë kësaj ishte krejtësisht pak i shqetësuar, sepse si njeri nordik nuk i shprehte haptas ndjenjat e brendshme. Vetëm në sy i shihet drita vezulluese, që sillej në rrethin e tij, veçanërisht te plaku truplartë, marinari me përvojë nga romanet skandinave. Ky ishte pa flokë të gjata kaçurrelë, koka e tij ishte e lëmuar, goja pa pip të duhanit, dhe ndonëse ishte marinar pa fjorde, dukej se ende nuk i kishte anuluar mendimet për lundrime të reja. Edhe Leifi, përkundër flokëve të bardha dhe stetoskopit të shndritshëm, që i shkëlqente në shiritat e xhupit me vija, me trup të lartë dhe të drejt, më shumë i përngjante kapitenit norvegjez sesa mjekut. Leifi ishte burrëri e palëndueshme dhe krenare, dhe ndonëse qetësia e tij e kthjellët shkaktonte xhelozi te ndokush, shikimi në te ishte si një injeksion imuniteti. Kështu, për shembull, atë mbrëmje, kur pas apelit e sollën në revier trupin e djaloshit të ri dhe e vendosen në tryezën e ngushtë të metaltë të operacionit. Trupi i vdekur dhe i palëvizshëm, të cilin përpara kur ishte bora në prija, fill pas apelit të mbrëmjes e kishin sjell në depo nën furrë. Kufomë, mendova, ashtu mendoi edhe infermieri, që qëndronte pranë Leifit, e ky si gjithmonë ishte i drejtë dhe i qetë. E zbërtheu xhupin e ndyrë me vija, e shqeu këmishën në gjoks dhe filloi ta lëvizë tupanthin e stetoskopit në anën e zemrës së djaloshit. Por, kurrgjë nuk shihej, që ndonjë refleks i jetës të kalonte nëpër celuloidin dhe nëpër gypat e nikeluar në veshët e tij. Si t’i kishte thënë vetvetes:Man soll versuchen u largua me dinjitet dhe e theu kapelën e ampulës së coraminit, në kohë që duart e djaloshin vareshin të pajeta nga tryeza. Pastaj në dorë të djathë e mori injeksionin, me gisht tregues dhe të mesëm të dorës së majtë preku ndërmjet brinjëve, dhe i theri gjilpërën në zemër. Për mjekun në spital, kuptohet, se kjo nuk është gjë e pazakonshme, por kur në mes të vdekjeve të qeta, trupi fillon të rropasë me duar, të luftojë për ajër dhe ta lakojë parzmën, njeriut i duket sikur po prezanton në ringjalljen e Lazarit. Se djaloshi vërtetë u bë i gjallë. Natyrisht, i kishte zgurdulluar sytë dhe gjëmonte, por buzëqeshi kur e pa Leifin që qëndronte pranë shtratit të tij. Buzëqeshi në mënyrë aq të padefinueshme, sikur nuk i kujtohej se kur dhe pse e kishte kthyer Leifi sërish në dritë, por sidoqoftë, buzëqeshi. Jo, Ivos nuk mund t’i ndihmohej më kështu, atij nuk mund t’i ndihmohej më në asnjë mënyrë. Por, as Leifin nuk munda ta gjejë. Dhe atëherë infermieri norvegjez më tregoi për Tomazhin: Kamerad Jugosllav, tha, që shpeshherë do të thoshte se është fjala për slloven nga Primorska, sepse në vend, ku gjithçka është skajshmërisht e thjeshtë, shpjegimet e gjata janë të tepërta. Dhe ndonëse e kishte në trekëndëshin e kuq inicialin e madh I, sepse ishte burgosur si shtetas italian, slloveni me këmbëngulje thoshte se është jugosllav, dhe kështu, në mënyrën më të lehtë e bind mjedisin, që t’ia venë veshin kundërshtimeve të tija. Natyrisht, njeriut i kundërshton zemra dhe mendja, që në vendin e vdekjes ta asgjësojnë si italian, pas asaj që shteti italian pas Luftës së Parë Botërore ia kishte shkatërruar identitetin në vendlindje. Këtij shkaku organik dhe thelbësor duhet t’i shtohet edhe nënçmimi, që përjetonin italianët në kamp. Italianët i lidhnin popujt tjerë me fashizmin, por burimi kryesor i nënçmimit dhe armiqësisë ishte hidhërimi i jashtëzakonshëm i gjermanëve ndaj kombit, që e kishte tradhtuar përsëri, siç e kishte tradhtuar edhe në Luftën e Parë Botërore. Këtë urrejtje gjermane në luftë të pakompromis e kishin pranuar të gjithë, që kishin çfarëdo pushteti mbi bashkësinë e paemër; e këtu luante rol të rëndësishëm edhe dallimi ndërmjet karaktereve të ftohtë dhe të përmbajtur të veriut dhe ndjeshmërisë dhe komunikimit mesdhetar. Kështu, edhe vet Leifi, edhe pse norvegjez dhe mjek, tregonte njëfarë pakënaqësie ndaj italianëve, që shpeshherë kufizohej me padrejtësi. Dukej, sikur për të italiani ishte medoemos përtac, që me fjalët e shumta dhe lutëse provon ta fitojë simpatinë nga keqardhja; edhe fizikisht Leifi, si njeri truplartë dhe krenar i kishte bezdi njerëzit shkurtalaqë, që flisnin shumë me fytyrë në grusht: për këtë arsye, edhe slloveni i Primorskës, edhe kroati i Istrës refuzonin, që ta ndajnë fatin e njëjtë me njerëzit, në shtetin e të cilëve ishin të futur kundër vullnetit të vet. Prekja e vdekjes i kishte larguar pseudonimet e imponuara dhe kështu infermieri norvegjez ishte sjellë sipas simbolit, që ia kishte dhënë Tomazhi, pasi që të dhënat nga kartotekat ashtu e ashtu vinin në konsiderim vetëm me rastin e ardhjes këtu, në këtë prijë me furrë. Atëherë numri e kishte gjetur përsëri emrin dhe mbiemrin në një copë kartuçi në zyrë. Por, Tomazhi kurrë nuk kishte menduar për këtë. Tomazhi ishte i ndryshëm nga të gjithë që i takova përpara dhe pas kësaj; pikërisht për shkak të shqetësimit në sy, për shkak të komunikimit të gjallë dhe të pasundueshëm , për shkak të besimit të jashtëzakonshëm fëmijëror: pasuri kjo, që nuk ka mundur të sundohet, të kufizohet. Disponim, që nuk ka pasur nevojë, apo mundësi të bëhet së paku pak më i kthjellët; por, që ka mbetur gjithnjë racional, siç ishte edhe në takimin e parë. I ka thënë infermierit se është prej Triestes, sepse, si do ta kishte ditur djaloshi norvegjez se ku është Seçovla! A nuk është kështu? I mungonin pak për t’i plotësuar të pesëdhjetat, por qeshej dhe i zgjaste duart si fëmija, që i ke premtuar se do të ngrihet, po të jetë i mirë. Tërë ditën është i shtrirë pranë dritares, e mbi vete i ka dërrasat e shtratit të lartë; nga brazat ndërmjet tyre bien cuflat e kashtës në mbulesën e tij. Tërë ditën është ashtu i shtrirë dhe me gishta e nxjerr kashtën e djegur dhe i duket vetja si në arkë me ato dërrasa mbi trupin e fryrë. Në hojen tjetër shihen, gjithashtu plagët me qelb nën mbulesë, duket se është ajri i infektuar, sikur po shkatërrohet mali dhe pylli, sikur po kalbet vet zemra e bjeshkës. Por edhe përkundër kësaj, sytë e tij janë në mes të kristaleve të kriporeve të vendlindjes, dhe kur flet për Kanalin e Tristes, për sheshin e Berzanës, për sheshin pranë urës Rose, njërin sy e mbyll, sikur peshkatari , kur shikon retë e shndritura nga dielli. Gëzohet që iu dorëzova lojës së tij dhe është përtej mase i gëzuar për vizitën, e unë nuk mund ta kuptoj a e ndjen ai se është i ngazëllyer në këtë atmosferë të helmuar, se nuk është i përqendruar, është pa busull në detin e pafund. Dhe, është pikërisht i tillë, kur zbulohet dhe e fërkon trupin e fryrë si me ujë, në tallje krahasohet me gruan shtatzënë dhe thotë se do të shfryhet, dhe përsëri e mbulon trupin e fryrë, ndërsa në dy i valëzon flamuri i bardhë, që u paraqit në ultësirë. Natyrisht, edhe te të tjerët shpeshherë ndizen shkëndijat e jetesës, qëkur u paraqiten aeroplanët e shumtë. Kamxhikët edhe më tutje binin mbi supe, në duart e thata, që i mbronin gastaret e thata, por kur përfundonte klithja dhe leckat vija-vija i mbushnin barakat, nga gjysmëterri, larg nga dritaret sytë nguliteshin në qiell. Trupat, që ishin të ngrysur, apo të gjunjëzuar e ngrehnin qafën, ishin të thatë, sytë ishin të lagësht; dy nga dy të ngushtuar prisnin lëvoret e argjendta, të ngulura në rrjetin e reve. Atëbotë, zhurmës në qiell i bashkëngjitej një dridhje e panjohur në koshin e kraharorit; edhe më shumë ndihej kjo gjëmë natën, kur ishte trupi i shtrirë. Atëherë zhurmën e zbrazët dhe të hovshme të grethave të natës e përcillte lehja shqetësuese e qenve. Filloi. Ishin fjalët nga gjysmëgjumi, nga trupi që e dinte se është i shtrirë në majë të shtratit trekatësh dhe dëgjon makinerinë miqësore, por njëkohësisht e dinte se kotej në mes të qelizave të uritura. Por, afrohej vala e re, dhe dheu me aromën e mishit të përcëlluar dhe të eshtrave të djegur kishte vdekur përfundimisht dhe jeta kishte kaluar ne mes të reve, në brumbujt e metaltë, që e tradhtonin natën. Në München tani do të kërcejnë nga shtrati! tha një zë i zgjuar, ndonëse fjalët ishin murmuritëse, në mënyrë qesharake të hidhura, sikur të kishte dalë nga vendi baza e drunjtë e shtratit. Po, por atëherë një dridhje e çuditshme rrugoi nëpër trupin horizontal, valëzimi i flamurit të bardhë kaloi nëpër te. Dhe gjymtyrët e uritura u lakuan, e tërhoqën batanijen pranë vetes, fyti kapërdiu me ëndje pështymën e pakët, sikur ta kishte lemzën, ndërsa veshi nuk e dëgjoi më ulërimën e qenve në barkun e malit të zi. Sigurisht se edhe tjerëve u shndriti mendimi, që shkëlqente sikur tufa e shpendëve të argjendta në diell, por shkëndija u shua ngadalë në shtresën e trashë të hirit. Por, jo te Tomazhi, loja e tij nuk perëndon, pasi që krejt kohën e ruan atë, e kultivon dhe pandërprerë më mbështjell me te. Flet për urën që e kanë çuar në ajër bashkë me të birin, për ta ndaluar kolonën gjermane duke më mbajtur të okupuar me bebëzat e tij, por jo si hipnotizues, që do të më pezullonte, por si shërues, që dëshiron të më bëjë edhe mua të qëndrueshëm. I qëndrueshëm, që ta pranoj vetë në shtëpinë time në Trieste verën e zezë të Istrës, që do të ma sjellë ai. Një bucelë. Dy bucela. Oh, sikur të mundte tani ta pinte atë lëng të zi, do të shërohej shpejt. Mu para dere do të ma sjellë, thotë dhe i shikon shtretërit si i humbur, sikur nuk i njeh. Por, pranë tij dëgjohet një gjëmë nën batanije, diku dëgjohet gagarisja, diku sytë që në fund të një pëlhure karo duken gjysmë lutës, gjysmë kryengritës. Dy sferëza të palëvizshme të qelqta. Ndërkohë, që një shkalc nga dhoma largohet me një trup të mbuluar me mbulesë. Tomazhi e shikon dhe thotë: tërë kohën i bartin, por fill shton se, me siguri do të shërohesha sikur të dehesha një herë me verë. Dy bucela verë do të më sjellë. Veç të mos bëhet farë kontrabande, farë dhune, se forca e tij jetësore është aq e madhe, sa që e merr freskinë nga terri. Dhe është i gëzuar, që djali i tij iku në male, por njëkohësisht shqetësimi i tij është përqendruar në mua, në djalin e tij të ri, të cilin ai e bëri të qëndrueshëm dhe të fortë me dritën e syve të tij. Po, e pranoj se nuk e kuptoja dhe se ende nuk e kuptoj. Oh, sa lehtë është të thuhet se sytë e tij të gjallë me lojën dhe me djallëzinë e tyre deshën ta sfidojnë vdekjen, se Tomazhi në mënyrë të padukshme u zhvendos në truallin istrian dhe si hardhia thithi nga dheu lëngun shërues; shumë lehtë është të thuhet se me komunikimin e tij i mbuloi të gjitha dyshimet dhe vizionet e fshehura, që gurgullonin si shëmtime në të dhe rreth tij. Mirëpo, si është e mundur, që asnjëherë nuk u dorëzua, asnjëherë nuk u vyshk, por gjithmonë u mbajt në baraspeshë, gjithmonë mbeti mbi sipërfaqe? Ndoshta ishte, vërtetë, një aktor i mirëfilltë, çfarë nuk do të takoj më. Aktor, që në kacafytje me vdekjen askurrë nuk pushon, askurrë nuk e heq maskën, por ashtu identifikohet me rolin e ri, që, në fakt, nuk ka kuptim të flitet për maskën. Madje, as natën? Këtë nuk e di, se atëbotë nuk mendoja që ta vizitoja natën, por me siguri edhe atëherë do të gjeja dy sy të qeshur, që më prisnin. Vërtetë, se për të nuk vlente asnjë kundërshtim, ç’flas për kundërshtimin, ai asnjë vërejtje nuk e pranonte: ashtu ishte atëherë, kur përgatiteshim për nisje. Mendoja se do t’i ngarkojmë të gjithë Tomazhët në kamionë, pastaj në trena të kafshëve, kështu që prijat të mbesin pa shtretër dhe pa tym; mendoja, si do t’i shkarkonim, pastaj të gjithë Tomazhët para minareve të larta të fesë së re. Frikohesha për te, pasi që e kishte trupin tepër të rëndë që të vrapojë në drejtim të lirisë; për këtë heshtsha. E ai fliste shumë më shumë se zakonisht. Thoshte se në Dachau do të jemi më afër shtëpisë. Dhe isha i hidhur dhe i çarmatosur si përpara kur më thoshte në vesh se kampin do ta sulmojnë partizanët e Vogelit dhe do të na çlirojnë, ashtu edhe tani kur isha i përmbajtur me prognozën se do të na shpëtojnë parashutistët. E, në Tomazhin nuk mund të mbështetesha; për këtë arsye heshtsha përsëri. E shihja se është i tëri në mesin e hardhive të Istrës e jo më me ne. Kjo s’është në rregull, mendoja, të jesh në botën e gjallë njëkohësisht këtu dhe atje, Tomazh, kjo nuk është në rregull. Vdekja nuk e lejon këtë. Nuk është në rregull, Tomazh, që të jesh tani në kriporet e Seçovles, t’i hapësh raftet e ormanit të rëndë në dhomën në fshat dhe ta kundërmosh pëlhurën e shëndoshë të ndërresave të vrazhda. Nuk është në rregull. Dhe provoja të mos shkoj pas tij, që mos ta dëgjoj kërriçin që posa palli pas shtëpie, dhe ta shoh mëzoren se si e fërkon qafën në grazhd. Atij i dëgjohej qartë derdhja e verës së zezë në bodrum. Shiheshin enët e verës. Bucelat, vërshimi i kësaj vere. Vërshim ky në të cilin së shpejti do të lahemi bashkë, do të notojmë në te. E, nuk do të guxoje, Tomazh, sepse shkalci pikërisht tani po kalon pranë shtretërve. Vdekja është megerë xheloze, Tomazh. Gjatë heshtjes sime, ky njeri i jashtëzakonshëm bëhej, vërtetë, serioz, por vetëm për faktin se frikohej, në mos më kishte fyer gjë; e kur u nxirresha, se gjoja isha në mendime si duhej të bënim gjërat e mundshme dhe të pamundshme, që të mos arrijmë në botën e krematorit, përsëri ringjallej. Bluante me duar, si ndonjë pronar i përzemërt, që edhe përkundër sëmundjes e kishte arritur një marrëveshje të rëndësishme. Hej, njeri, në Dachau do të jemi më afër shtëpie! klithi. Dhe desh që t’ia shkruaj adresën time, e njëkohësisht kundërshtoi kur e shqeva një fletë nga fletorja. Jo, desh t’ia shkrua në dërrasë mbi kokë, që ta kem tërë kohën para sysh. Dhe ndërsa i vizatoja shkronjat e pjerrëta, sikur ta vizatoja Molo San Carlo me të dy kambanarët e kishës greke, ende më buçiste në veshë se do të ma binte verën. Kështu, në fund e dëgjova, vërtetë, zërin e qerres në rrugën e qetë dhe rrotat që luhateshin të karrocave të qumështoreve nga Shmarja dhe Koshtoboni, që pikërisht kishin zbritur nga treni me avull i Koprit. Por, njëkohësisht, e ndjeva atëherë edhe më shumë se isha ndenjur në qoshen e drunjtë të shtratit dhe për këtë arsye e preksha krahun e tij, e ndjeja se Tomazhi është shumë më i gëzuar për këtë afërsi, sesa për adresën që e shkruaja në dërrasën e shtratit; ndoshta i dukej, sikur e prekte djalin e vet, ngase mua më ishte ngjallur mendimi se e kisha prekur babën e paharrueshëm. Por, nuk e di. Është vështirë të flitet për ndjenjat, të cilat nuk i ka përjetuar njeriu pranë babës së vërtetë; është vështirë të shpjegohet kjo shoqëri atërore, ky vegim i atërisë shoqërore. Nuk e di, nuk e di. Por, e di se sytë e tij pastaj shkëlqyen të kënaqur, se ishin një kohë të qeta dhe të ngushëlluara, por që shumë shpejt e mbylli syrin e djathtë dhe me kokë e tregoi dërrasën mbi kokën e tij. Do ta mësoj përmendësh, tha, për adresën. Mirëpo, atë mëngjes apelplatzi i Dachaut ishte bërllok i madh, në të cilin lopatë të shumta qitnin letra, lecka të lagura dhe nallane të prishura dhe rroba vija-vija. Nëpër dritaret e banjave. Kështu, mbi dyshekët me kashtë, që e mbulonin hapësirën shtriheshin mbështjelljet valëvitëse të letrave, binin lugët e dëmtuara nga druri dhe qëndronte e vetmuar thika, të cilën e kishin farkëtuar njerëzit që nga epoka parahistorike. Pastaj, dyshekët e kashtës me njolla të lagështa, dyshekët e zbrazët, pa mbushje, që i kishin bërë gropat në ta. Pastaj dyshekët e kashtës me trupa lakuriqë. Plagët në ndërkëmbë, si organe femërore me buzë të ënjtura, por të forta. Buzë të kalbura, një çerek metri të gjera. Pastaj sërish gjëra të pavlefshme. Dhe sërish nallane. Përsëri grumbuj lëkurash të lagështa, të spërkatura, të ndotura të zebrave, që kishin vdekur nga murtaja. E, pranë tyre trupat, që ende ishin gjallë dhe që ndërroheshin mbi dyshekë të kashtës. Mbështjellja nga krep letra, që shpërndahet si fije e Parkës së pangopshme. Dora e thatë nuk dëshiron ta lëshojë lugën e drunjtë, e mbi të brinjët si dru të mbështjella me lëkurë luspore. Këta trupa nuk i çuan në të majtë, ata erdhën në barakë; e në skaj ishte një rend i gjatë i shtretërve të thatë, prej të cilëve i kishin hequr Jobët e vdekur, që të mos shkatërrohen nën sferën e zjarrtë që rri pezull në ajër dhe nuk thotë se do të bien përtokë dhe kështu nuk do t’i ndriçojë më këto mbeturina. Në rrugicën e ngushtë ndërmjet dy barakash gjithçka u vu përsëri në rend dhe mbretëroi qetësia. Mjeku me syze dhe me dorëza gome në duar e priste trupin në barakë. Ujët rridhte në tryezën nga guri dhe gati që nuk dëgjohej ndërsa e shpëlante. Burri me mantel të bardhë fliste çekisht dhe për secilin sish duhej ta gjente shkakun e vdekjes, gjatë punës është i shkathët, gati edhe shpejton, sikur të mos i duhej të përziente shumë nëpër zorrë, sikur i dinte të gjitha. Por ngutet edhe për faktin se trupa ka pafundësisht shumë. Pastaj i qep, e ther gjilpërën e trashë dhe i thur me pe gjithashtu të trashë, që nga fundi i barkut e deri në fyt. Qep shumë shpejt dhe duket se ka filluar shumë herët, pasi që nëpër barakë shtrihet një rend i gjatë. Si gjithmonë janë me nofulla të hapura, me dhëmbë të verdhë, me bark dërrasë. Vetëm njëri është i fryrë dhe i bardhë. Dein Kamerad Jugoslav, tha përsëri infermieri norvegjez, e unë i shikoja dërrasat, që pas kokës së tije krijonin murin e barakës. Ishin sikur dërrasat mbi kokën e tij, vetëm pak më të gjera. Kurse në vend të shkalcit që do të lëvizte ndërmjet shtretërve të drunjtë, tani priste karroca me dy rrotë dhe me një lug të gjatë nga llamarina. Pranë qëndronte kapaku, që gjithashtu ishte lug nga llamarina. Por, gjithsesi mu desh t’ia shikoja sytë e tij, në fund të një bishtaleci, që ishte e qitur mbi trupin e tij. Ishin të hapura në qiellin e zbrazët dhe më dukej, se pikërisht tani do të qeshnin. Shih, çfarë bishtaleci më kanë thurur, do të thoshte. Nuk di. Nuk di. Por nuk mendova asgjë, veç e pash se edhe në vagonin për kafshë, sytë e tij e kundërshtonin terrin. Si dhe në vagonët tjerë, edhe në vagonin e tij të mbyllur, trupat më pak të sëmurë dhe të uritur ditën dhe natën, e veçanërisht natën rrëshqitnin. Rrëshqitnin përkrye kokës së tij, i binin mbi qafë, në bark, ndërsa shikimi i tij tërë kohën tentonte ta shpërthente terrin, që ta hiqte mëndësh dhe ta asgjësonte. Apo, ndoshta ishte kjo paradite me diell mbi arkën udhëtuese të mbyllur dhe rrezet ia shndritshin vagonit kupolën, i shndriste dërrasat mbi kokën e tij, ndërsa rrotat numëronin rrotullimet: më afër shtëpisë, më afër shtëpisë, më afër shtëpisë. Dhe kështu, sytë e tij në mendime të thella shikonin, pa e vërejtur se kur i hoqën dërrasat dhe i zëvendësuan me këtë kupolë me ngjyrë të pakuptueshme të hirtë, që lakohej mbi kokën e tij të mençur, atërore.
...